Kërçovë, mbyllen restorantet dhe kafenetë për vizitorët, shërbejnë vetëm në sportele
Si në mabrë vendin edhe në qytetin e Kërçovës prej sot objektet gastronomike janë të mbyllura, që sadopak për të funksionuar disa prej tyre i janë përshtatur funksionimit të ri merr dhe shko, pra shërbimet e tyre do të mund t’i kryejnë vetëm nga sportelet.
Kjo masë është në fuqi deri më 20 prill.
Ndërkohë sektori i gastronomisë në Maqedoninë e Veriut kërkon nga qeveria ndihmë financiare për përballje me pasojat, pas vendimit të ekzekutivit për të mbyllur objektet e gastronomisë si pjesë e masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Ndërsa prej dje janë mbyllur edhe sallat e fitnesit, sallat sportive, si dhe është ndaluar organizimi i konferencave, seminareve, trajnimeve, punëtorive dhe kurseve.
Ora policore prej dje është zgjatur dhe fillon nga ora 20:00 deri në 05:00.
Këto masa i miratoi Qeveria me qëllim që siç thanë, të parandalojnë përhapjen e coronavirusit.
Nga SPB-Ohër thonë se mbrëmë në teritorin e komunës së Kërçovës janë konstatuar 2 shkelje të orës policore, ndërsa janë dhënë edhe 33 gjoba për mosmbajtje të maskës mbrojtëse.
MPB ju bën thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat dhe protokollet e miratuara nga Qeveria, për parandalimin e COVID-19.