Afaristët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë pako të shpejta për mbijetesën e bizneseve
“Prioriteti i parë i qeverisë së re do të jetë vazhdimi i masave anti-krizë për ndihmë edhe më të madhe për qytetarët dhe ekonominë. Tejkalimi i pasojave të krizës së koronës dhe rikthimi i niveleve të mëparshme të rritjes ekonomike do të jetë në fokusin e punës së qeverisë”, ka deklaruar Zoran Zaev menjëherë pasi parlamenti votoi për zgjedhjen e tij si kryeministër i vendit, shkruan REL.
Por, afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se për të pasur rritje ekonomike, një herë duhen kushte që të mbijetojnë sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit që kanë marrë goditje nga kriza e pandemisë.
Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se për të ruajtur likuiditetin kompanitë e vogla, krahas vazhdimit të pakos së masave nga qeveria për subvencionimin e pagës minimale për kompanitë e goditura nga kriza e koronavirusit, nevojiten dhe masa shtesë.
“Me rëndësi është që të theksohet se duhet të kemi mbështetjen financiare për kompanitë nga ana e shtetit , që është e domosdoshme për të ruajtur likuiditetin e tyre veçanërisht kompanitë për kompanitë e vogla dhe ata të mesme”.
“Njëkohësisht, kreditë me norma interesi minimale dhe ato zero që janë të parapara për kompanitë të cilat kanë potencial zhvillimor, të jenë të kapshme për sektorin e biznesit edhe gjatë periudhës së ardhshme. Gjithashtu duke ditur se sektori më i goditur është sektori i gastronomisë, duhet përkrahur me masa plotësuese financiare që ata të jenë në gjendje që ti shlyejnë detyrimet e tyre ndaj furnitorëve të tyre”, thekson Nebi Hoxha drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Ai thekson se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit për një kohë të gjatë do të sjellë shumë paqartësi, në këtë rast qeveria duhet të reagojë me masa amortizuese për të shmangur dëmet që mund të sjellin në bllokimin e ekonomisë së vendit, veçanërisht në sektorë të caktuar.Portalb