Beogradi zyrtar po u bën presion qytetarëve serbë të Kosovës, që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës të votojnë vetëm për “Listën Serbe”, si dhe po përdor forma shantazhi ndaj 5 subjekteve të tjera politike serbe, të cilat janë pjesë e garës zgjedhore.

Kështu pretendojnë përfaqësues të disa subjekteve politike serbe në Kosovë, si dhe njohësit e zhvillimeve politike, të cituar nga “Radio Europa e Lirë”.

Kryeministri në largim e njëkohësisht president i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë vetëm për “Listën Serbe”. Ai madje ka theksuar se “forca të caktuara shqiptare dhe botërore po i blejnë serbët, në mënyrë që të kenë 4 prej 10 deputetëve serbë për të votuar ushtrinë e Kosovës”.

Nenad Rashiç, drejtues i Partisë Demokratike Përparimtare, subjekt politik serb në Kosovë, tha për “Radion Europa e Lirë” se, Beogradi zyrtar as që ka tentuar t’i unifikojë përfaqësuesit politikë të serbëve në një listë të përbashkët, por i ka ndarë serbët në “të mirë” dhe në “të këqij”.

Me këtë retorikë, sipas tij, Beogradi zyrtar po i përçan serbët në “të jugut” dhe “të veriut” dhe ka shfaqur tendencën që serbët e veriut të Kosovës të marrin funksione në institucionet e Kosovës.

Sjellja aktuale e Beogradit zyrtar ndaj subjekteve politike dhe vet komunitetit serb në Kosovë është formë presioni, sipas Rashiç. Aleksandar Jablanoviç, ish-themelues i “Listës Serbe”, aktualisht drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit është futur në koalicion me “Iniciativën Qytetare Aktive”, tha për “Radion Europa e Lirë” se Beogradi po gabon me politikën e tij të animit vetëm nga “Lista Serbe”.

E megjithatë, për analistët politikë kjo nuk është diçka e re. Përfaqësuesit politikë të serbëve po garojnë për 10 vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 vende.