Rritja e temperaturave në Portugali rrezikon të çojë dëm përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarreve që kanë përfshirë pyjet e vendit.

Temperatura më e lartë e javës, rreth 38 gradë celsius, pritet të regjistrohet këtë të martë dhe bashkë me erërat ajo pritet që të rindezë zjarret që kanë humbur intensitet.

Drejtuesit e Mbrojtjes Civile deklaruan se 70 për qind e zjarreve janë nën kontroll, por vatrat e mbetura përbëjnë një shqetësim madhor.

Të paktën 64 vetë kanë vdekur nga flakët që prej së shtunës. Viktima e fundit e identifikuar ishte një zjarrfikës 40-vjeçar që ndërroi jetë në spital.

Shumë njerëz humbën jetën brenda makinave të tyre, teksa përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve dhe asfiksisë së tymit. Ndërsa 130 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në rajojnin pyjor përreth Pdrogao Grande, në veri-lindje të kryeqytetit Lisbonë.

Komandanti i Mbrojtjes Civile, Elisio Oliveira shprehu shqetësimin e tij për zjarret që janë ende aktive. Ai e cilësoi operacionin për shuarjen e tyre si “kompleks” dhe tha se shumë banorë janë detyruar që të largohen.

Mbi 1 mijë zjarrfikës po punojnë për të penguar flakët që vazhdojnë të përhapen në fronte të ndryshme. Një operator vullnetar tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se ekipet e shpëtimit nuk janë optimiste për vënien e situatës nën kontroll.

“Mungesa e lagështirës, erërat e forta dhe temperaturat e larta mund të rindezin lehtë zjarret dhe madje t’i përhapin me shpejtësi ato”, tha operatori.