Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot priti një delegacion afaristësh nga Libani në përbërje të së cilit ishin drejtues të disa kompanive të rëndësishme libaneze, që kanë shprehur interes për të investuar në Maqedoninë.

Delegacioni nga lindja e mesme ka përzgjedhur Maqedoninë për të realizuar investime në fusha të ndryshme që janë nën kompetenca të Ministrisë së Ekonomisë siç janë energjetika, burimet minerale, turizmi, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme etj, ndërsa në Maqedoni kanë për qëllim informimin me legjislaturën e vendit si dhe me kushtet në zonat e lira ekonomike në vend.

Ministri Bekteshi gjatë takimit deklaroi se delegacioni i kryesuar nga Samer Soufan, President i Këshillit të biznesmenëve Liban-Maqedoni i shoqëruar nga nëntë kompani të mëdha libaneze, nëpërmjet investimeve të tyre të mundshme do të hapte një kapitull të ri në bashkëpunimin me Libanin dhe Lindjen e Mesme.

Delegacioni libanez u njoftuar nga ana e Ministrit Bekteshi me mundësitë për investime në Maqedoni. Afaristët libanez njoftuan se gjatë qëndrimit dyditor të tyre në Maqedoni kanë eksploruar destinacione të ndryshme dhe mekanizmat e mundshëm për investime për të cilat u zotuan se me një vullnet të mirë politik edhe do të jetësohen.

Ministri i Ekonomisë Bekteshi informoi se me reformat e ndërmarra nga qeveria e Maqedonisë kryesisht në fushën ekonomike, është duke u krijuar një klimë biznesi edhe më e favorshme në vend, duke shtuar se Maqedonia është destinacioni i duhur për investime dhe se investimet libaneze janë të mirëpritura në Maqedoni.