Te çiftet pa fëmijë, femrat kontribuojnë me 40 për qind në buxhetin familjar vjetor. E kundërta ndodh në familjet me tre ose më shumë fëmijë.

Shifrat më të reja të Zyrës Federale për Statistikë (BfS) tregojnë se, përkundër faktit se është duke u rritur numri i grave që punojnë, megjithatë vetëm një e treta e të ardhurave që hyjnë në familjet zvicerane, vijnë prej grave, shkruan sda.ch. Nga viti 2007 deri në vitin 2015 pjesëmarrja e të ardhurave të grave në buxhetin familjar ka mbetur pothuaj e njëjtë. Më konkretisht, ajo është ngritur vetëm për 1%, nga 31 në 32%.

Pjesëmarrja në fjalë varet edhe nga numri i fëmijëve në familje, transmeton albinfo.ch. Te çiftet pa fëmijë, femrat kontribuojnë me 40 për qind në buxhetin familjar vjetor. E kundërta ndodh në familjet me tre ose më shumë fëmijë: në to, kontributi buxhetor i gruas është përgjysmë më i vogël.

Kjo pabarazi në mes të gjinive, sipas BfS vjen si rrjedhojë e pjesëmarrjes së ndryshme (më të ulët) të gruas në tregun e punës dhe në nivelin më të ulët të pagesës që vazhdon të vlejë për femrat në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Gratë më shpesh se burrat, janë të punësuara me orar të pjesshëm pune.