Sulmuesi shqiptar Albion Avdiaj do të aktivizohet për Grasshoppers-in, në sezonin e ardhshëm.

23 vjeçari do të transferohet nga ekipi i Vaduz, me të cilin luante prej vitit 2015 dhe është aktivizuar në 45 takime, duke shënuar 7 gola.

Për Avdiajn është një rikthim te ekipi i Grasshoppers, pasi aty sulmuesi është aktivizuar me të gjitha ekipet e moshave, që nga 2003 deri në 2014-ën.

Avdiaj është aktivizuar në dy takime miqësore me ekipin përfaqësues të Kosovës, ndërsa më pas u largua për të luajtur me Shqipërinë.

Me kuqezinjtë ai është grumbulluar vetëm nga ekipi U-21 dhe është aktivizuar nga trajneri i atëhershëm Redi Jupi, në takimin kualifikues ndaj Izraelit, ku u ndëshkua edhe me karton të kuq.