Pushimet amerikane të Granit Xhakës këtë verë ishin planifikuar me kujdes, për të bërë një hap që nuk e kishte guxuar asnjëherë më parë.

Futbollistin kosovar, që militon në kombëtaren zvicerane, e kemi parë shpeshherë përtokë në dyluftime të ashpra në kampionatin anglez, por këtë herë ai ra në gjunjë për një propozim klasik martese.

Granit Xhaka e shfrytëzoi ndalesën e verës në plazhet e Miamit në SHBA, për t’i kërkuar dorën të fejuarës së tij historike, Leonita Lekaj.

“Një Top i Artë është mrekulli, por një grua e artë është parajsë”, kështu preferoi ta përkufizonte futbollisti shqiptar çastin e lumtur të çiftit.

Partnerja e futbollistit ka qenë e pandashme në çdo lëvizje të tij. Ajo ra në sy në stadiumet e “Euro 2016” në Francë, si dhe ndjek Xhakën në çdo ndeshje me Arsenalin në Premier League.