Dy kompanitë më të mëdha të shitjes me pakicë, Migros dhe Coop kemi rënie të qarkullimit. Nga ana tjetër, kompanitë e tipit “discount”, si Denner, Aldi dhe Lidl kanë rritur qarkullimin e tyre

Ndërmarrjet zvicerane të shitjes me pakicë, edhe vitin e kaluar kanë shënuar një ulje të qarkullimit të tyre. Sipas përllogaritjeve që ka prezantuar Instituti për hulumtim të tregut, GfK, rënia në krahasim me një vit më parë, ka qenë 1.5 për qind. Ndërsa qarkullimi i të gjitha ndërmarrjeve të kësaj kategorie, marrë së bashku, ka qenë 92.5 miliardë franga, njofton srf.ch. Ky qarkullim, nga viti 2007 asnjëherë nuk ka qenë më i ulët, transmeton albinfo.ch.

Shifrat më tutje tregojnë se të dy kompanitë më të mëdha të shitjes me pakicë, Migros dhe Coop kemi rënie të qarkullimit. Nga ana tjetër, kompanitë e tipit “discount”, si Denner, Aldi dhe Lidl kanë rritur qarkullimin e tyre.

Po ashtu konstatohet se ulja e qarkullimit është ndarë në më pak filiale. Me fjalë tjera, sipas GfK, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2016 në gjithë Zvicrën janë mbyllur 5000 shitore të vogla. Ky fenomen shpjegohet me rritjen e tregtisë online por edhe me shtimin e numrit të qendrave tregtare dhe “discount” eve.

Kundrejt 5000 shitoreve të mbyllura janë rreth 10 mijë ofertues të shitjes online,  vetëm zviceranë.

Përkundër rënies së regjistruar, gjigantët e tregtisë me pakicë, Migros dhe Coop vazhdojnë të jenë pa konkurrencë të parat në listë. Nga të tjerat, Liddle ka shënuar një rritje më të theksuar. Ky rrjet i shitjes me seli në Gjermani, është ngritur nga vendi i 12-të në vendin e nëntë në Zvicër, në mesin e  ndërmarrjeve të shitjes me pakicë në sektorin e ushqimit. Lidl ka pasur një qarkullim prej 960 milionë frangash.

Migros ka shënuar një qarkullim prej 14 miliardë e 400 milionë frangash ose 0.2% më pak se një vit më parë. Ndërsa Coop, me 12 miliardë e  970 milionë franga ka pasur 0.3% më pak shitje se në vitin 2016.